Union Bank Sh.A. vlerëson si shumë të rëndësishme mbrojtjen e të dhënave personale dhe bankare të klientëve që na i kanë besuar ato. Në lidhje me këtë publikim, Banka informon publikun se nuk ka asnjë lidhje, bashkëpunim, autorizim apo miratim me persona ose subjekte që promovojnë mjete, programe apo aplikacione për përpunimin, konvertimin ose transformimin e dokumenteve bankare (përfshirë nga PDF në Excel) jashtë sistemeve zyrtare dhe të kontrolluara të Bankës. Ju informojmë se Union Bank Sh.A. e ofron shërbimin e marrjes së vërtetimeve bankare (statement) në formatin Excel, në formë të sigurtë, të shpejtë dhe të besueshme përmes aplikacionit të Union Bank.
Qartësojmë se çdo përdorim, përmendje apo aludim ndaj emrit të Bankës në këtë kontekst është i paautorizuar, i pavërtetë dhe i gënjeshtërt për publikun.
Union Bank Sh.A. sjell në vëmendje të klientë dhe publikut se:
- dokumentet bankare dhe të dhënat personale e bankare të klientëve përbëjnë informacion të mbrojtur ligjërisht;
- përpunimi i tyre jashtë sistemeve të autorizuara përbën shkelje serioze ligjore dhe mund të krijojë bazë për abuzime, manipulime dhe përdorim kriminal të dokumentacionit financiar.
Union Bank Sh.A. distancohet në mënyrë të prerë nga çdo praktikë e tillë, si dhe rezervon të drejtën të ndërmarrë masa ligjore ndaj çdo subjekti që përdor emrin, reputacionin apo dokumentacionin bankar në mënyrë të paautorizuar. Ftojmë klientët e Union Bank Sh.A. që të ruajnë, të mos shpërndajnë apo të mos venë në dispozicion të të panjohurve, të dhënat e tyre bankare e personale, pasi një veprim i tillë do t’i ekspozonte ndaj veprimeve të paligjshme të sipërpërmendura.
Ky sqarim publikohet nga Union Bank Sh.A. me qëllim mbrojtjen e klientëve, të dhënave të tyre personale e bankare, integritetit financiar dhe interesit publik.
Duke ju siguruar për korrektesën tonë, gjejmë rastin të sigurojmë klientët për vëmendjen tonë të përhershme ndaj tyre.
Me respekt,
Union Bank Sh.A.







