Garancia Bankare

Garancia Bankare është një angazhim i pakthyeshëm me shkrim i bankës lëshuese (garantori), i lëshuar në emër të aplikantit dhe në favorin e palës përfituese, për të kryer pagesën deri në shumën e specifikuar në garanci në favorin e përfituesit, kundrejt marrjes së një kërkese të rregullt për pagesë, me shkrim nga përfituesi, në rastin e mospërmbushjes nga ana e aplikantit të detyrimit që është objekt i kësaj garancie.

Garancitë Bankare jane subjekt i Rregullores Standarte të Garancive Bankare (URDG), Botimi ICC Nr. 758 i cili zëvëndësoi rregulloren e mëparshme URDG Nr. 458.

Llojet e
garancive bankare:

– Garanci Pagese – lëshohet për llogari të aplikantit për të garantuar pagesën e mallrave dhe shërbimeve në favor të përfituesit.
– Garanci për pagesë paraprake (parapagimi) – lëshohet për llogari të aplikantit për të garantuar përdorimin e shumës së parapaguar në përputhje me kontratën.
– Garanci Ofertë – lëshohet për llogari të aplikantit për pjesëmarrje në tender.
– Garanci Kontrate – lëshohet për llogari të aplikantit për të garantuar përmbushjen e detyrimeve kontraktuale.
– Garanci për Magazinë Doganore.

Letër kredi

Letër Kredia ose ndryshe Kredia Dokumentare është një instrument pagese i lëshuar nga një bankë me kërkesën e klientit të saj. Pagesa e një Letër Kredie kryhet kundrejt prezantimit të setit të kërkuar të dokumentave, i cili duhet të jetë në përputhje me kushtet e vendosura në të.Letër Kreditë janë një instrument më i sigurt dhe efektiv në kryerjen e pagesave në trasaksionet e tregtisë ndërkombëtare.

Llojet e
letër kredive

– Letër Kreditë e Importit lëshohen nga Union Bank në rastet kur klientët e saj blejnë (importojnë) mallra ose shërbime nga partnerët/furnitorët e tyre. Në këtë lloj transaksioni, Union Bank merr persipër një angazhim të pakthyeshëm, për llogari të klientit të saj, për të paguar përfituesin, kundrejt prezantimit nga ana e këtij të fundit të setit të dokumentave plotësisht në përputhje me kushtet e vendosura në Letër Kredi.
– Letër Kreditë e Eksportit Në rastet kur klientët tanë shesin (eksportojnë) mallra ose shërbime, ne sugjerojmë që pagesa nga blerësit në favorin e tyre të kryhet përmes një Letër Kredie. Në këtë rast Union Bank merr Letër Kredinë e lëshuar në favorin e klientit të saj me mesazh Swift-i ose me Letër, nga banka e blerësit (banka lëshuese).