Tiranë, më 30 prill 2026
Union Bank vijon të forcojë pozicionin e saj financiar dhe besimin e tregut përmes përdorimit të instrumenteve të Borxhit të Varur, duke demonstruar stabilitet, transparencë dhe korrektësi ndaj investitorëve.
Së fundmi, Banka ka realizuar me sukses emetimin e ri të Obligacioneve të Nënrenditura (Borxh i Varur) , me vlerë totale prej 3 milionë Euro, afat 7-vjeçar dhe normë fikse interesi vjetore prej 4.75%, të emetuara në monedhën Euro, pjesë e një programi emetimi prej 6 milion Euro në total. Ky emetim u prit pozitivisht nga tregu, ku kërkesa nga investitorët tejkaloi 130% të shumës së emetimit, duke reflektuar besimin e vazhdueshëm të komunitetit të investitorëve në performancën, qëndrueshmërinë financiare dhe vizionin afatgjatë të Union Bank.
Njëkohësisht, Union Bank ka likuiduar plotësisht obligacionin e pare te emetuar te ketij lloji ne vitin 2020, i cili maturonte më 21 shkurt 2026, duke përmbushur në mënyrë korrekte dhe në kohë pagesën e principalit dhe interesave për të gjithë obligacionmbajtësit. Ky zhvillim konfirmon historikun e pandërprerë të Bankës në respektimin e detyrimeve financiare dhe disiplinën e saj të lartë financiare.
Në total, përmes emetimeve të Borxhit të Varur, Union Bank ka ndërtuar një portofol prej 16.5 milionë Euro, duke mbetur ndjeshëm nën kufijtë rregullatorë të përcaktuar dhe duke reflektuar një strukturë të shëndoshë kapitale
Përdorimi i obligacioneve si instrument financimi po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një alternativë efikase, duke ofruar kthime të qëndrueshme për investitorët dhe fleksibilitet për institucionet financiare. Në këtë kuadër, Union Bank vijon të angazhohet në ofrimin e produkteve inovative dhe alternativave të besueshme të investimit, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin e tregut të kapitaleve në Shqipëri.


