Tiranë, më 21 janar 2026

Instrumenti i ri i garancisë është i fokusuar në huadhënie për Njësitë e Vogla dhe të Mesme (NVM), projekte të gjelbra dhe përfshirje financiare.

  • BERZH dhe BE lansojnë garancinë e parë të ndarjes së rrezikut të portofolit në Shqipëri me Union Bank
  • Garancia e pambështetur prej 25 milionë € që pritet të mundësojë deri në 50 milionë Euro hua të reja për NVM-të
  • Një e treta e fondeve të garantuara do të shkojnë për finanicmin e projekteve të gjelbra

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në partneritet me Bashkimin Evropian (BE), po mbështet Union Bank në Shqipëri me një portofol garancie të pambështetur deri në 25 milionë Euro. Ky instrument inovativ i ndarjes së rrezikut synon të nxisë huadhënien për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), përfshirë projektet e gjelbra, si dhe të avancojë përfshirjen financiare në të gjithë vendin.

Garancia, e ofruar në kuadër të skemës së ndarjes së rrezikut të portofolit të BERZH-it, do të mbulojë deri në 50 për qind të rrezikut të kredisë për një portofol të ri huash deri në 50 milionë Euro që do të gjenerohet nga Union Bank. Ky operacion përfshin edhe një shtresë mbulimi të humbjes së parë deri në 2.5 milionë Euro, e cila ofrohet nga BE përmes Fondit Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus, duke forcuar më tej uljen e rrezikut.

Ky është projekti i parë i këtij lloji në Shqipëri, i ndërtuar mbi suksesin e Skemës së Mbështetjes për Agrobiznesin dhe Turizmin në Shqipëri, dhe përfaqëson një zgjerim të rëndësishëm të produkteve të BERZH në vend. Ai synon të ulë rrezikun për institucionet financiare partnere dhe të adresojë mungesat e vazhdueshme në financimin e NVM-ve, duke u mundësuar atyre të kanalizojnë likuiditetin e vet drejt huadhënies së re. Struktura ofron lehtësim kapitali dhe rrit rezistencën e sektorit bankar, duke krijuar mundësi të reja për segmentet e nënpërfshira.

Të paktën 30 për qind e fondeve të garantuara do t’u dedikohen projekteve të gjelbra që përputhen me qasjen e BERZH për Tranzicionin drejt Ekonomisë së Gjelbër, duke mbështetur kalimin e Shqipërisë drejt një ekonomie më të qëndrueshme. Projekti do të përfitojë gjithashtu nga një paketë bashkëpunimi teknik, e financuar nga BE, për të mbështetur forcimin e kapaciteteve në zbatim të projektit dhe tranzicionin e ekonomisë së gjelbër.


Znj. Ekaterina Solovova, Drejtuese e BERZH në Shqipëri, tha:

“Jemi të lumtur të bashkëpunojmë me Union Bank për të lansuar ndarjen e rrezikut të portofolit në Shqipëri. Duke ndarë rrezikun dhe duke mbështetur investimet e gjelbra, ne po ndihmojmë të hapim financime të reja për NVM-të dhe të promovojmë përfshirjen financiare. Ky projekt përfaqëson angazhimin tonë ndaj rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë.”


Znj. Ritva Heikkinen, Drejtuese e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, tha:

“Bashkimi Evropian vijon të mbështesë sektorin privat në Shqipëri si motorin kyç të rritjes ekonomike, punësimit dhe përfshirjes sociale. Përmes kësaj garancie, po i ndihmojmë bankat tregtare të zgjerojnë aksesin në financë për NVM-të – sidomos ato më të nënpërfshira në zonat rurale – duke promovuar gjithashtu investime të gjelbra dhe inovative, plotësisht të harmonizuara me Agjendën e Gjelbër të BE-së. Kjo mbështetje kontribuon në tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë dhe në progresin e saj drejt integrimit në BE.”


Znj. Flutura Veipi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Union Bank, tha:

“Jemi krenarë të zgjerojmë partneritetin me BERZH dhe BE përmes kësaj garancie të parë,  për ndarjen e rrezikut të portofolit. Kjo nismë forcon kapacitetin tonë për të ofruar financim më të gjerë dhe më të përballueshëm për NVM-të shqiptare, të cilat mbeten shtylla e ekonomisë sonë. Gjithashtu, duke dedikuar një pjesë të rëndësishme të fondeve për investime të gjelbra, po mbështesim bizneset në tranzicionin e tyre drejt praktikave më efikase dhe më miqësore me mjedisin. Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm në strategjinë e Union Bank për të nxitur rritje gjithëpërfshirëse dhe për të kontribuar në zhvillimin afatgjatë ekonomik të Shqipërisë.”

Union Bank është një bankë tregtare në Shqipëri e specializuar në kreditimin për NVM dhe sektorin retail. Gjithashtu është një partnere afatgjatë e BERZH, e cila ka qenë aksionere në bankë nga viti 2008 deri në vitin 2021.

Që prej fillimit të operacioneve të saj në Shqipëri në vitin 1991, BERZH ka investuar mbi 2.4 miliardë € në gati 180 projekte në të gjithë vendin.