Tiranë më 10 qershor 2026

Union Bank mori pjesë në Takimin Vjetor dhe Forumin e Biznesit të BERZH 2026, një ngjarje e rëndësishme që mblodhi së bashku politikëbërës, drejtues biznesesh, akademikë dhe partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar mbi konkurrueshmërinë, inovacionin, teknologjinë dhe të ardhmen e punës, nën temën: “Volatile to Versatile – Economies Innovating in a Changing World.”

Ky event shënoi një moment të rëndësishëm për Union Bank, e cila përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe bashkëpunimi me BERZH, iu bashkua zyrtarisht Programit të Lehtësimit të Tregtisë (Trade Facilitation Programme – TFP).

Marrëveshja u nënshkrua nga Znj. Flutura Veipi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Union Bank, dhe Znj. Shona Tatchell, Drejtoreshë e Programit të Lehtësimit të Tregtisë të BERZH, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e mbështetjes për financimin e tregtisë për bizneset shqiptare.

Flutura Veipi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Union Bank, u shpreh:

“Ky vit shënon 20-vjetorin e Union Bank në Shqipëri dhe BERZH ka qenë partneri ynë që nga dita e parë.

Si një bankë me kapital vendas, ne krenohemi që jemi fleksibël, të orientuar drejt klientit dhe të përkushtuar për të gjetur vazhdimisht mënyra të reja për të mbështetur klientët tanë, veçanërisht bizneset e vogla dhe segmentet që shpesh marrin më pak vëmendje nga sektori bankar.

Falë partneritetit me BERZH, kemi arritur të mbetemi relevantë dhe të përgjigjemi ndaj nevojave në zhvillim të tregut. Së fundmi, jemi fokusuar në mbështetjen e sipërmarrjes së të rinjve, grave në biznes, transformimit dixhital dhe financimit të gjelbër. Presim me optimizëm shumë vite të tjera partneriteti të suksesshëm dhe arritjesh të përbashkëta.”

Shona Tatchell, Drejtoreshë e Programit të Lehtësimit të Tregtisë të BERZH, u shpreh:

“Jemi shumë të kënaqur që ndodhemi këtu sot për të formalizuar partneritetin tonë me Union Bank në kuadër të Programit të Lehtësimit të Tregtisë të BERZH.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje për një linjë kredie qarkulluese përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit tonë në financimin e tregtisë. Përmes këtij instrumenti, Union Bank do të jetë në gjendje të ofrojë mbështetje të dedikuar për eksportuesit, importuesit dhe shpërndarësit vendas, përmes zgjidhjeve të financimit para dhe pas eksportit, të krijuara për të lehtësuar tregtinë ndërkombëtare.

Kjo nismë do t’i ndihmojë bizneset shqiptare të kenë akses më të mirë në financimin e tregtisë, të zgjerojnë praninë e tyre në tregje të reja dhe të forcojnë pozicionimin e tyre ndërkombëtar. Ne presim me kënaqësi të ndërtojmë një partneritet të fortë dhe të realizojmë së bashku shumë transaksione të suksesshme.”

Union Bank është një partnere afatgjatë e BERZH, e cila ka qenë aksionere e bankës nga viti 2008 deri në vitin 2021.