• BERZH do të ofrojë €3 milionë për kreditim ndaj shtëpive shqiptare dhe kompanive të ndërtimit për përmirësimin e standardeve të gjelbra në sektorin e ndërtesave të banimi
  • Grantet e investimit dhe fondet e bashkëpunimit teknik do të sigurohen nga Bashkimi Evropian dhe Japonia
  • Investimet për rritjen e efikasitetit të energjisë në ndërtesa rezidenciale dhe ulje të emetimeve të CO2

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE) dhe Japonisë, po i jep një hua prej €3 milionë Union Bank në Shqipëri, me qëllim rritjen e kapacitetit të saj huadhënës për projektet e gjelbra në sektorin rezidencial.

Fondet sigurohen përmes Green Economy Financing Facility (GEFF), i cili mbështet investimet në teknologjitë e gjelbra me performancë të lartë, materiale dhe zgjidhje për ndërtesat e banimit në pronësi private. Pronarët e shtëpive që do të aplikojnë për huatë GEFF dhe do të mund të përfitojnë gjithashtu ndihmë në identifikimin dhe blerjen e pajisjeve të kursimit të energjisë, si izolimi, dritaret, pompat e nxehtësisë dhe panelet diellore që do të reduktojnë emetimet e gazeve serrë, do të ulin kostot e energjisë dhe do të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre.

Krahas kësaj, ata do të përfitojnë incentiva deri në 20 për qind të vlerës së kredisë pas përfundimit  të suksesshëm të investimit, të financuara nga BE dhe Japonia.

Ekaterina Solovova, drejtoresha e BERZH në Shqipëri, tha: “Ne jemi krenarë që po mbështesim Shqipërinë në rrugën drejt tranzicionit të gjelbër, me programint GEFF që është një hap konkret në këtë drejtim. Programi sjell një ndryshim të prekshëm për qytetarët duke përmirësuar jetën e tyre të përditshme  përmes investimeve më të qëndrueshme dhe komode në rezidencat e banimit. Kjo marrëveshje është një tjetër moment historik në partneritetin tonë të gjatë me Union Bank, i cili vijon të jetë i suksesshëm.”

Union Bank do të përfitojë gjithashtu bashkëpunim teknik që do ta ndihmojë në krijimin e një modeli të ri financimi të përshtatur për kreditimin e gjelbër në sektorin e ndërtesave të banimit. Mbështetje do t’u ofrohet edhe kompanive të ndërtimit, sipëmarrësve  dhe prodhuesve të teknologjive të gjelbra, duke nxitur kështu tranzicionin e gjelbër të sektorit rezidencial në tërësi. Fondet e bashkëpunimit teknik do të sigurohen nga Fondi i Bashkëpunimit BERZH-Japoni.

Flutura Veipi, CEO e Union Bank, tha: “Ne jemi shumë entuziastë për bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm me BERZH dhe jemi krenarë që kemi implementuar tashmë një sërë projektesh të suksesshme së bashku. Përmes kësaj huaje nga BERZH, Union Bank do të vazhdojë të mbështesë investimet me efikasitet energjitik dhe të nxisë kapacitetet huadhënëse për projektet e gjelbra, në mënyrë që të promovojë objektivat e saj sociale dhe mjedisore.”

BERZH është bashkëpunëtor i hershëm i Union Bank dhe aksioner i saj nga viti 2008 deri në vitin 2021.

Programi GEFF i BERZH-it ka ndihmuar mbi 10,000 pronarë shtëpish në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të përmirësuar efikasitetin e energjisë. Programi është mbështetur nga BE dhe donatorët dypalësh, të cilët ofrojnë fonde përmes Western Balkans Investment Framework (WBIF) si pjesë e Regional Energy Efficiency Programme (REEP). Ministria Federale Austriake e Financave po siguron gjithashtu fonde shtesë për asistencë teknike.

Ky projekt është në përputhje me objektivat strategjike të BERZH në Shqipëri, të cilat përfshijnë qasje më të gjerë në financimepër sektorin privat, rritjen e diversifikimit të energjisë dhe tranzicionin drejt uljes së emetimeve të karbonit. BERZH, një investitor institucional kryesor në Shqipëri, ka investuar €2 miliardë në mbi 140 projekte në vend deri më sot.