Klientët SME në Union Bank tashmë do të kenë më shumë lehtësi në përfitimin e financimeve të nevojshme për zhvillimin dhe rritjen e biznesit të tyre. Union Bank ka lidhur një marrëveshje në dt. 11 dhjetor 2019 me Fondin për Garantimin e Kredive Rurale (RCGF) e cila ka për qëllim zgjerimin dhe lehtësimin e aksesit në financime për sipërmarrës dhe fermerë shqiptarë në zonat rurale. Duke përdorur avantazhet e kësaj marrëveshjeje, Union Bank synon të nxitë kredidhënien për klientet SME për financim deri në 500 mijë Euro, duke krijuar fleksibilitetin e nevojshëm në aspektin e garancisë. Nënshkrimi i këtij partneriteti u krye nga z. Gazmend Kadriu, Drejtor i Përgjithshëm i Union Bank dhe nga Z. John Khoury, Drejtor i Bordit të Fondit për Garantimin e Kredive Rurale (RCGF).

RCGF që prej themelimit në vitin 2015 ka garantuar një numër të lartë huamarrësish dhe ka të alokuar për realizimin e instrumentit të garancisë një fond 33 milion Euro, në dispozicion të partnerëve të tij të cilëve tani iu bashkohet dhe Union Bank.

Ky bashkëpunim është në linjë dhe me strategjinë e Union Bank për tu zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme në treg duke rritur kreditimin ndaj SME-ve, në mënyrë që të plotësojë nevojat për rritje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të cilat janë dhe shtylla të rëndësishme në ekonominë e vendit.