Union Bank realizoi me sukses në 1 Shtator 2022 emetimin e tretë të obligacioneve afatgjata me ofertë private, me vlerë totale 3 milionë Euro, i cili u realizua pas 2 emetimeve prej 2 milionë Eurosh, të kryera me sukses në Shkurt 2020 dhe Tetor 2021. Treguesi i Mjaftueshmërisë së Kapitalit të Union Bank është rreth 15%, që rezulton të jetë përtej kërkesave rregullatore, dhe elementi i Borxhit të Varur mbetet më pak se 15% e Kapitalit të Bankës, tregues të një mirëkapitalizimi dhe risku minimal kundrejt investitorëvë.

Emetimi i obligacioneve u prit shumë mirë nga komuniteti i investitorëve, si një kombinim mes investitorëve institucionalë dhe individëve duke konfirmuar dhe njëherë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin që Union Bank ofron për klientët e saj.

Obligacionet e pagarantuara, të nënrenditura dhe ndërvarura – Borxh i Varur, të emetuara në monedhën Euro më afat 7 vjeçar kanë normë interesi vjetore fikse 3.50%, me çmim 100% të vlerës nominale në formë të dematerializuar. Vlera nominale e çdo obligacioni (që është shuma e përdorur në llogaritjen e pagesave të bëra për çdo obligacion) është 5.000 Euro, kurse shuma minimale e nënshkrimit është 20,000 Euro.

Përdorimi i obligacioneve nga ana e korporatave po fiton gjithnjë e më shumë terren, duke u vlerësuar si një alternativë e mirë kundrejt injektimeve periodike të kapitalit nga aksionerët. Këto instrumente ofrojnë një sërë avantazhesh për investitorët, si diversifikimi dhe kthimi më i lartë, krahasuar me alternativat e tjera të investimit financiar, si dhe sjellin dhe edukim financiar për një instrument të tregut të kapitaleve që do të gjejë më shumë përdorim në të ardhmen. Union Bank mbetet e angazhuar, jo vetëm në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve bankare që plotësojnë nevojat e klientëve por edhe në mundësinë e ofrimit të alternativave të ndryshme, të investimit për ta.