Union Bank realizoi me sukses në 1 Tetor 2021 emetimin e Obligacioneve afatgjata me vlerë totale 2 milionë Euro. Ky është emetimi i dytë i obligacioneve me ofertë private nga ana e Union Bank, pas emetimit prej dy milionë Eurosh të realizuar me sukses në fillim të vitit 2020. Gjithsesi, Treguesi i Mjaftueshmërisë së Kapitalit të Union Bank është rreth 15%, që rezulton të jetë përtej kërkesave rregullatore, dhe elementi i Borxhit të Varur mbetet më pak se 10% e Kapitalit të Bankës, tregues të një mirëkapitalizimi dhe risku minimal kundrejt investitorëvë.

Emetimi i obligacioneve u prit shumë mirë nga komuniteti i investitorëve, si një kombinim mes investitorëve institucionalë dhe individëve dhe tejkaloi pritshmëritë e Bankës, duke rezultuar me një kërkese prej mbi 135% kundrejt shumës së emetuar dhe duke konfirmuar dhe njëherë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin që Union Bank ofron për klientët e saj.

Obligacionet e pagarantuara, të nënrenditura dhe ndërvarura – Borxh i Varur, të emetuara në monedhën Euro më afat 7 vjeçar kanë normë interesi vjetore fikse 3.30%, me çmim 100% të vlerës nominale në formë të dematerializuar. Vlera nominale e çdo obligacioni (që është shuma e përdorur në llogaritjen e pagesave të bëra për çdo obligacion) është 10.000 Euro, kurse shuma minimale e nënshkrimit është 20,000 Euro.

Përdorimi i obligacioneve nga ana e korporatave po fiton gjithnjë e më shumë teren, duke u vlerësuar si një alternativë e mirë kundrejt injektimeve periodike të kapitalit nga aksionerët. Këto instrumente ofrojnë një sërë avantazhesh për investitorët, si diversifikimi dhe kthimi më i lartë, krahasuar me alternativat e tjera të investimit financiar, si dhe sjellin dhe edukim financiar për një instrument të tregut të kapitaleve që do të gjejë më shumë përdorim në të ardhmen.

Union Bank mbetet e angazhuar, jo vetëm në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve bankare që plotësojnë nevojat e klientëve por edhe në mundësinë e ofrimit të alternativave të ndryshme, të investimit për ta.