Union Bank ka kontribuar në financimin e monumentit kushtuar shenjtores Nënë Tereza, e cila tashmë ndodhet në ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar që mban emrin e saj. Me këtë rast, sot në ambientet e këtij Aeroporti u zhvillua ceremonia e inaugurimit të këtij monumenti, vepër e skulptorit, Z. Ilirjan Shima. Kjo ceremoni u zhvillua pikërisht sot në datën 25 Prill, në nder të 30 vjetorit të vizitës së Papa Gjon Palit të II në Shqipëri, i cili u prit në këtë vizitë nga vetë Nënë Tereza. Ky ishte një moment historik për të gjithë shqiptarët sepse shënoi rikthimin e lirisë së besimit fetar të munguar në Shqipëri.

Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm dhe me fjalën e tyre përshëndetëse  Z. Niko Leka, Zv. Kryetari i Këshillit Drejtues të Union Bank, Z. Niko Leka, znj. Suela Bokshi, Zv. Drejtore e Përgjithshme e Union Bank, drejtues të Aeroportit Nderkombetar “Nënë Tereza”, përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, klientë, dashamirës të artit, etj.  

Z. Leka, gjatë fjalës së tij në ceremoni u shpreh i lumtur për vendosjen e shtatores në këtë ditë historike, duke theksuar: “Kjo statujë do të mirëpresë tani të gjithë ata që vijnë në Shqipëri dhe do të japë bekimin për ata që largohen nga vendi.”.

Ndërsa Znj. Bokshi ndër të tjera, tha: “Nderojmë sot me respekt, një nga figurat më të rëndësishme të popullit shqiptar, Nënë Terezën, simbolin e paqes dhe mirësisë, e cila do të kujtohet gjithmonë si shenjtorja që ndihmoi një botë të tërë me zemërgjerësinë dhe humanizmin e saj.”. 

Union Bank mbetet e angazhuar në mbështetjen e vazhdueshme të aktiviteteve me impakt social e kombëtar, si pjesë e përgjegjësisë sociale të korporatës.